Trafikoi mbi 130 kg heroinë dhe u arratis prej vitit 2008, arrestohet në Fier shqiptari i dënuar me 24 vite burg në Itali

Pas 17 vitesh arrati, autoritetet shqiptare kanë arrestuar në Fier shtetasin Bardhyl Haxhiu, 66 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane. Arrestimi i tij u krye më 29 prill, si rezultat i një operacioni të përbashkët mes policisë shqiptare dhe Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Karabinierëve të Napolit, nën koordinimin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Itali.

Haxhiu ishte dënuar me 24 vite burg nga Gjykata e Apelit të Napolit për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve të zhvilluara në Itali, ai ka pasur një rol qendror në rrjetin kriminal, duke vepruar si kontakti kryesor për importimin në Itali të mbi 130 kilogramëve heroinë. Grupi në fjalë vepronte kryesisht në provincat e Napolit dhe Casertës.

Pas një ndjekjeje shumëvjeçare dhe veprimesh hetimore të ndërlikuara, Bardhyl Haxhiu u lokalizua dhe u kap në Shqipëri, ku aktualisht ndodhet në paraburgim në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Italisë.

Ky operacion përfaqëson një arritje të rëndësishme në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe një sukses për drejtësinë italiane, që vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve të të dyja vendeve.