Trafikim të foshnjave dhe përdhunim/ Ekstradohen nga Shqipëria drejt Turqisë dhe Greqisë dy persona
Interpol Tirana ka finalizuar ekstradimin e dy shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht për vepra të rënda penale, drejt autoriteteve të drejtësisë në Turqi dhe Greqi. Të ekstraduarit janë 39-vjeçari Burak Kara dhe 59-vjeçari bullgar me inicialet I. A.
Shtetasi turk Burak Kara është dënuar nga Gjykata e Mersin në vitin 2022 me 8 vjet e 4 muaj burgim, për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2011, në një banesë në Mersin, ku Kara, në gjendje të dehur, ka ushtruar dhunë seksuale ndaj një shtetaseje turke. Nga ky dënim, atij i mbeten edhe rreth 4 vjet e gjysmë për të vuajtur në burg.
Ndërkohë, drejt Greqisë është ekstraduar shtetasi bullgar I. A., 59 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Athina. Ai akuzohet për përfshirje në një rrjet kriminal që ndërmjetësonte në mënyrë të paligjshme për birësimin e foshnjave. Sipas hetimeve, ai kontaktonte gra shtatzëna në gjendje të vështirë ekonomike, të cilat i sillte në Greqi për të lindur, dhe më pas ndërmjetësonte në dhënien e foshnjave për birësim, në këmbim të shumave që varionin nga 2000 deri në 4000 euro për çdo rast.
Njoftimi i policisë
Interpol Tirana/Ekstradohen në Turqi dhe në Greqi, 2 shtetas.
✅Në Turqi u ekstradua një shtetas i dënuar për marrëdhënie seksuale me dhunë.
✅Në Greqi u ekstradua një shtetas i akuzuar për ndërmjetësim për birësim të kundërligjshëm.
-Burak Kara, 39 vjeç, i lindur në Turqi, sepse Gjykata e Mersin, në vitin 2022, e ka dënuar këtë shtetas, me 8 vjet e 4 muaj burgim, pasi në vitin 2011, në gjendje të dehur, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me një shtetase turke, në banesën e një shtetaseje tjetër, gjithashtu turke, në Mersin. Nga dënimi, 39-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 4 vjet e gjysmë burgim;
-I. A., 59 vjeç, i lindur në Bullgari, sepse ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Athina, mbi akuzën se në bashkëpunim me të tjerë, gjente gra shtatëzënë (në vështirësi ekonomike), të cilat i çonte në Greqi për të lindur dhe më pas ndërmjetësonte për dhënien e foshnjës, për birësim. Nga kjo veprimtari kriminale ky shtetas dyshohet se ka përfituar 2000-4000 euro/rast. Ai është arrestuar nga shërbimet e Policisë Kufitare të Korçës.