Trafik kokaine nga Amerika Latine në BE e Itali! Baza në Shqipëri, grupi italo-kinez i pastroi 375 mln €! 61 të arrestuar, mes tyre 43 shqiptarë, 2 u kapën në Durrës

Një grup i strukturuar kriminal që trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të BE-se, kryesisht Italisë është shkatërruar gjatë një operacioni të përbashkët ndërkombëtar të ndërmarrë sot (25 shtator) njëkohësisht në 4 shtete.

Grupi kriminal e ushtronte aktivitetin në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër, ku dhe u shtri operacioni në bashkëpunim me Eurojust, Europol. Prokuroria italiane e Brescia-s njoftoi se ishin lëshuar në total 61 urdhëra arresti. Mësohet se të paktën 43 shqiptarë janë arrestuar në Itali Ndërsa në Durrës SPAK arrestoi dy pjestarë të tjerë të grupit, Jurgen Kacurri dhe Arjanit Maloku. Gjatë hetimit, i cili ka zgjatur 4 vjet, janë sekuestruar 360 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, të përllogaritura në vlerën prej 60 milion Euro. Sipas autoriteteve të Guardia di Financa e Brescia grupi kriminal kishte bazën në Shqipëri dhe degët në Itali. Droga importohej nga Amerika Latine në Europë përmes përdorimit të rrugëve të transportit detar të mallrave. Më pas sillej në Itali me mjete të rënda përmes Spanjës e Holandës. Organizata kishte 5 baza logjistike operative të identifikuara në zonën e Italisë së veriut, në të cilat dorëzohej droga. Bazat ishin vendosur midis Brescia, Romano di Lombardia dhe Palazzolo sull’Oglio dhe në komuna të tjera në Italinë qendrore-veriore si Varese dhe Piza.

Të ardhurat nga shitja e drogës i kalonin një organizate paralele italo-kineze e cila ofronte një lloj shërbimi të fshehtë bankar për transferimin e kapitaleve të paligjshme jashtë vendit. Një shtetas kinez me banim në Brescia merrej me procesin e pastrimit të parave, përmes një sistemi kompleks, faturash false, vlera e të cilave shkonte në 375 milionë euro. Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë Euro, informoi sot SPAK. Ndërkohë në Shqipëri gjatë operacionit të sotëm, vec arrestimit të Malokut dhe Kaçorrit u kontrolluan 21 banesa dhe ambjente të tjera, kryesisht në zonën e Manzës, pranë Durrësit si dhe u sekuestruan “30 mijë Euro, 6 mijë Paund, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale

Aktiviteti ne Sky ECC

Nga hetimet e deritanishme mësohet se aktiviteti kriminal dhe narkotrafiku kryhej nëpërmjet platformave të koduara në Sky ECC të cilat u ballafaquan nga përgjimet telefonike, telematike e mjedisore të kryera paralelisht krahas aktiviteteve hetimore më tradicionale,” thuhet në njoftimin e Guardia di Finanza.

Mes të arrestuarve përfaqësuesi i Sacra Corona Unita

Gjithsej 135 persona janë nën hetim si pjesë e hetimit nga Guardia di Finanza e Brescia-s. Ndërsa mes 61 të arrestuarve është edhe përfaqësuesi i Sacra Corona Unita të Brindisit Vincenzo Bruno dhe arkëtari i klanit të cilit iu sekuestruan gati një milion euro cash. Ata ishin në kontakt me drejtuesit e grupit që jetonin në Shqipëri.

“Dy grupe të ndryshme dolën dhe u bashkuan: një grup italo-kinez dhe një shqiptar. Ky i fundit menaxhonte drogën dhe i pari pastronte paratë”, shpjegoi komandanti provincial i Brescias i Guardia di Finanza Francesco Maceroni në konferencën për median.

Më herët, gjatë hetimeve, ishin arrestuar dhe 21 anëtarë të tjerë të grupit, si dhe ishin sekuestruar 2.5 milionë euro cash, 5 pistoleta me municionet e tyre, 8 makina dhe 360 ​​kg drogë, e cila nëse do të hidhej në treg, mund të kishte sjellë një fitim rreth 30 milionë euro, raporton “Il Giornale di Brescia”.