Trafik i rënduar në Vlorë, fundjava mbush qytetin me pushues
Fundjava ka sjellë një fluks të madh pushuesish në qytetin e Vlorës, duke shkaktuar trafik të rënduar në disa prej akseve kryesore. Rruga transballkanike, si edhe segmentet përgjatë vijës bregdetare, kanë regjistruar numër të lartë automjetesh, çka ka krijuar vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin e mjeteve.
Pavarësisht pranisë së efektivëve të policisë rrugore në disa prej pikave më problematike të qytetit, lëvizja e automjeteve ka qenë e vështirë, për shkak të numrit të madh të turistëve që kanë zgjedhur Vlorën si destinacionin e fundjavës.
Kjo situatë tregon edhe një herë se Vlora mbetet një ndër destinacionet më të preferuara si për pushuesit vendas, ashtu edhe për ata të huaj. Vijat bregdetare, plazhet dhe bukuritë natyrore që ofron qyteti tërheqin çdo fundjavë mijëra vizitorë.