Trafik droge, zhvatje dhe kërcënime me vdekje! Shkatërrohet grupi kriminal i Elvis Demçes, arrestohen 14 persona në Itali
Një goditje e madhe është dhënë ndaj krimit të organizuar në Itali, ku Karabinierët, në bashkëpunim me Drejtorinë e Qarkut Antimafia të Romës, kanë finalizuar një operacion të gjerë që çoi në shkatërrimin e një grupi kriminal të lidhur me shqiptarin Elvis Demçe, i njohur si një ndër figurat më të rrezikshme në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Në kuadër të këtij aksioni, i cili u zhvillua njëkohësisht në Romë, Cisterna di Latina, Rossano, Reggio Calabria dhe Bovalino, 11 nga 14 personat e dyshuar për pjesëmarrje në këtë organizatë kriminale janë arrestuar dhe dërguar në burg, ndërsa tre të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
Sipas autoriteteve italiane, urdhri për arrestimin e tyre u lëshua nga Gjykata e Rishikimeve e Romës, pasi u pranua ankesa e paraqitur nga prokurorët e antimafias. Të arrestuarit akuzohen për bashkëpunim me qëllim trafikimin dhe shpërndarjen e drogës, zhvatje dhe zjarrvënie të qëllimshme, aktivitete këto që e kishin kthyer grupin në një rrezik të madh për sigurinë publike.
Hetimi që çoi në shkatërrimin e këtij grupi nisi më 18 janar 2022 dhe u zhvillua përmes përgjimeve telefonike, analizës së bisedave të koduara dhe vëzhgimeve të fshehta. Ai lindi si vijim i hetimeve që patën sjellë dënimin e Elvis Demçes në dhjetor 2022 me 18 vite burg për trafik ndërkombëtar droge. Këtë herë, hetimi u fokusua te pjesëtarët e tjerë të bandës dhe veprimtaria e tyre kriminale që nuk kishte dalë në dritë në fazat e mëparshme.
Autoritetet italiane thonë se hetuesit kanë arritur të përcaktojnë rolet dhe detyrat e secilit prej anëtarëve të bandës. Ndër të arrestuarit, përveç shqiptarëve, janë edhe disa shtetas kalabrezë të cilët akuzohen se kanë trafikuar sasi të mëdha kokaine në aksin Romë–Reggio Calabria dhe kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Demçes.
Gjatë hetimeve u dokumentua trafiku i sasive të mëdha të lëndëve narkotike: 338 kilogramë kokainë, 1510 kilogramë hashash dhe 70 kilogramë marihuanë, të shpërndara në provincat e Romës dhe Latinës, kryesisht në periudhën midis majit 2020 dhe marsit 2021.
Por aktiviteti kriminal i grupit nuk përfundonte me trafikun e drogës. Ata ishin të përfshirë edhe në zhvatje të dhunshme dhe kërcënime me vdekje për shlyerjen e borxheve të krijuara nga blerja e drogës. Në një rast, tre anëtarë të bandës i vunë zjarrin një dyqani bastesh në pronësi të një debitori në Romë dhe e kërcënuan atë për jetën, duke arritur të marrin fillimisht 10 mijë euro dhe një orë luksoze, përpara se të përfitonin edhe 70 mijë euro të tjera.
Në një episod tjetër, dy anëtarë të bandës, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, detyruan një blerës kokaine të shkonte në një pyll me pisha, ku i drejtuan armën në kokë dhe e detyruan të paguante 50 mijë euro. Po ashtu, në një rast tjetër, për të shlyer një borxh prej 108 mijë eurosh, një blerës droge u kërcënua me vdekje nga pjesëtarët e grupit.