Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 5 vite e 4 muaj burg Luis Çelën, i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Çela ishte pjesë e një grupi kriminal që kultivonte kanabis me qëllim trafikimin drejt Greqisë. Procesi gjyqësor u zhvillua sipas procedurës së gjykimit të shkurtuar, çka bëri që t’i ulet një e treta e dënimit.
Gjykata deklaroi fajtor Luis Çelën për:
•“Kultivim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e dënuar fillimisht me 8 vite burgim.
•“Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, për të cilën u dënua me 2 vite burgim.
Në bazë të Kodit Penal, gjykata vendosi një dënim të vetëm prej 8 vitesh burgim, i cili pas uljes me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 5 vite e 4 muaj burgim.
Të tjera vendime
•Çela do të vuajë dënimin në një institucion të sigurisë së lartë, duke nisur nga data e arrestimit, 13 shtator 2024.
•Shpenzimet procedurale të hetimit dhe gjykimit i janë ngarkuar të pandehurit.