Tokio shpërthen pas deklaratës së Trump: Krahasimi me Hiroshimën dhe Nagasakin, i papranueshëm!

Qeveria japoneze ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të presidentit amerikan Donald Trump, i cili krahasoi sulmet ajrore ndaj Iranit me bombardimet atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Kjo ndërhyrje i dha fund luftës. Nuk dua të përdor një shembull të Hiroshimës, nuk dua të përdor një shembull të Nagasakit, por në thelb ishte e njëjta gjë,” deklaroi Trump të mërkurën, duke iu referuar goditjeve ndaj objekteve iraniane.

Deklarata ka shkaktuar zemërim në Tokio, ku zyrtarë të lartë e cilësuan këtë krahasim si të papranueshëm dhe fyes ndaj kujtesës së viktimave dhe të mbijetuarve të sulmeve bërthamore.

Rreth 140,000 njerëz humbën jetën kur SHBA hodhi bombat atomike në Hiroshima dhe Nagasaki në gusht të vitit 1945. Edhe sot, të mbijetuarit përballen me trauma psikologjike dhe rrezik të lartë për sëmundje të rënda, përfshirë kancerin.