Tokat dhe banesat “pushtohen” nga uji në Vlorë, rëshqitje dherash në aksin Himarë-Kuç

Situata e krijuar si rrjedhojë e reshjeve të shiut në Vlorë, mesa duket mëngjesin e kësaj të hëne, është përmirësuar.

Në zonat më problematike, uji i shiut ka filluar të tërhiqet. Akset që deri në orët e vona të mbrëmjes notonin nën ujë, sot janë plotësisht të kalueshme. Nuk ka më prezencë uji në aksin e lagjes “Pavarësia Nr. 3”, në rrugën “Kosova”, në zonën e Skelës, si dhe në zonën pranë bibliotekës së Vlorës dhe lagjen “29 Nëntori”.

Megjithatë, ka ende prezencë uji në disa lagje dhe zona periferike, kryesisht në oborret e banesave dhe në hyrjet e pallateve. Në lagjen periferike “Kushtrimi”, mbi 20 banesa janë të rrethuara nga uji, duke bërë që banorët të mos kenë mundësi të dalin nga shtëpitë.

Ndërkohë, në aksin rrugor Kuç-Qeparo, mbrëmjen e djeshme, për shkak të reshjeve të shiut, pati rrëshqitje dheu, çka solli bllokimin e këtij aksi për disa orë. Është dashur ndërhyrja e fadromave të Bashkisë së Himarës për të hapur rrugën.

Në qytet, mëngjesin e kësaj të hëne, vihet re prezencë e baltës në shumë zona.