“Toka të xanuna në kurriz të komunitetit” – Rama paralajmëron reformë për territorin dhe inspektoriatet
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj fenomenit të zaptimit të hapësirave publike dhe tolerancës institucionale ndaj ndërtimeve me shkelje, duke e quajtur këtë praktikë një plagë urbane në kurriz të komunitetit.
Përmes një reagimi në platformën “X”, Rama paralajmëroi një reformë të re ligjore për kontrollin dhe zhvillimin e territorit, si pjesë e objektivave për mandatin e katërt dhe rrugën drejt BE-së.
Rama: Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.