Tkurren votat për Partinë Socialiste, “rrëmben” më shumë mandate se në 2021

Partia Socialiste kryeson me 83 mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, për t’iu drejtuar mandatit të katërt në qeverisjen e vendit.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste ka marrë në këto zgjedhje 733.149 vota në votimin e brendshëm ose 52.16% të totalit.

Në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur PS mori 768.134 vota (48.67%), ka një rënie prej rreth 35 mijë votash. Në këtë panoramë vihet re se një pjesë e elektoratit socialist është tkurrur në shifra, edhe pse në përqindje është rritur.

Në vitin 2021, në votime morën pjesë 1.6 milionë qytetarë ndërsa këtë vit 1.4 milion, pra 201 mijë më pak. Kjo do të thotë se përqindja e rritur mbi një bazë më të vogël votuesish nuk tregon realisht rritje të mbështetjes për socialistët, por më shumë për mungesë konkurence të fortë përballë PS-së dhe demotivim të elektoratit opozitar që ka pësuar rënie të ndjeshme nga katër vite më parë.