Tjetër sherr me thika në Berat/ Si u plagosën tre të rinjtë për një gërvishtje makine


Një tjetër sherr me thika është shënuar mbrëmjen e sotme pasi  tre të rinj janë plagosur  në Berat.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Uznovë”,në dalje të qytetit të Beratit, ku të rinjtë, pasi kanë gërvishtur automjetet, kanë hapur krahun në anë të rrugës dhe janë përleshur.

Mësohet se kanë qenë dy vëllezërit Donald dhe Denis Destani, përkatësisht 29 dhe 25-vjeç, ata që pasi kanë zbritur nga mjeti i tyre, kanë thyer me leva xhamat e automjetit tip Ford Fokus, me targa AA 562 CS të shtetasit Xhuljano Hyraj, 27-vjeç.

Pas kësaj, dy vëllezërit dhe Xhuljano Hyraj janë konfliktuar me thika e leva, derisa i kanë ndarë.

Burime nga Spitali Rajonal Berat bëjnë me dije se, Donald Destani ka marrë plagë thike në shpatull, ndërsa Xhuljano Hyraj ka marrë goditje me levë në kokë. Të njëjtat burime konfirmojnë se, të tre të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.