Tjetër risi e Instagramit, ja si do funksionojë aplikacioni

Instagram ka prezantuar një veçori të re, me përdoruesit që do të mund të vlerësojnë negativisht komentet në postimet në të ardhmen.

Numri i vlerësimeve negative nuk do të jetë i dukshëm për publikun, dhe qëllimi është që të “mundësohet përdoruesve që në mënyrë diskrete të vënë në dukje komentet e papërshtatshme”, siç theksoi kreu i Instagramit, Adam Mosseri.

Kompania Meta, e cila zotëron Instagramin, thekson se ky funksion duhet të rrisë cilësinë e diskutimit në platformë, si dhe të zhvillojë mjete për filtrim më të lehtë të përmbajtjes.

Disa aplikacione dhe platforma tashmë kanë zgjidhje të tilla, njëra prej tyre është YouTube, i cili ka një buton “dislike”, por numri i mospëlqimeve nuk shfaqet publikisht.

Një pjesë e përdoruesve kritikuan ndryshimet që paraqet aplikacioni, duke thënë se ato mund të keqpërdoren për “dhunë digjitale”, por Instagram thotë se kjo do të shërbejë për të moderuar përmbajtjen pasi do të përdoret për të rregulluar algoritmin.

Aktualisht, një grup i vogël përdoruesish po teston veçorinë e vlerësimit negativ të komenteve, dhe Instagram nuk tha se kur mund të bëhet i disponueshëm globalisht.