Tjetër dhimbje koke për Sylvinhon, ndaj Letonisë me mbrojtje “fringo”
Qendra e mbrojtjes do të jetë e formatuar totalisht ndaj Letonisë.
Tekniku Sylvinho nuk do të ketë në dispozicion as Arlind Ajetin, që i bashkohet në këtë mënyrë, Berat Gjimshitit si mungesa e konfirmuar për duelin e sotëm. Qendërmbrojtësi ka shfaqur një shqetësim muskulor në kofshën e majtë dhe gjatë ditës së djeshme është stërvitur veçmas grupit. Ai është mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor, por nuk ka mundur të rikuperohet në kohë për të qenë i gatshëm për këtë përballje.
Në vendin e tij në mesin e alternativave për të zbritur në fushë do të jetë Medon Berisha. Mesfushori i bashkohet Adrian Bajramit, që sfidën me Serbinë e ndoqi nga tribunat. Gjendja fizike e 31-vjeçarit prish në këtë mënyrë planet e kuqezinjve, pasi duhet të formojë një “mbrojtje” të re.
Gjasat janë që dyshja e qendrës të formohet nga Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli, por nuk përjashtohet që të ketë surpriza dhe në fushë të zbres Bajrami. Ndërkaq, pjesa tjetër pritet të mos ndryshojë. Strakosha do konfirmohet në portë, ndërsa në krahët e mbrojtjes do veprojnë Hysaj e Mitaj. Për sa i përket mesit të fushës, Shehu – Asllani – dhe Laçi, ndërsa në sulm do të jetë sërish Broja e Manaj. ndërsa Bajrami e Muçi “kërcënojnë” vendin e Hoxhës.