Titulli ‘vuloset’ të mërkurën, ‘lumë biletash’ për derbin e kryeqytetit Tirana-Partizani

Derbi i kryeqytetit vjen në momente jo shumë të mira për dy ekipet.

Tirana dhe Partizani vuajnë mungesa të rëndësishme në këtë 90 minutësh, me dy skuadrat që janë në garë të plotë për titullin kampion. Dy pikët diferencë kur kanë mbetur 4 sfida deri në fund janë shumë minimale për Tiranën që lufton për dy rezultate në këtë derbi për të mbajtur pas krahëve Partizanin.

Trajneri Orges Shehi do të vuaj mungesa të pesë lojtarëve. Dy janë të dëmtuar dhe bëhet fjalë për Patrik dhe Nikqin. Ndërkaq, të pezulluar janë tre lojtarë, me Behiratçen, Hilën dhe Hasanin që nuk do zbresin në fushë. Në dyshim mbetet edhe Kristal Abazaj, për arsyeje fizike.

Në krahun tjetër, trajneri, Giovanni Colella pritet të hedh lojtarët më të mirë në fushë për të tentuar 3 pikëshin që do t’i katapultonte në krye të renditjes. Presioni mbetet i madh tek demat.

Katër lojtarë do kërkojnë që të shmangin ndëshkimin ndaj Tiranës për të mos rrezikuar. Cara, Atanaskovski, Murataj dhe Rrapaj janë vetëm një karton të verdhë larg pezullimit, diçka që nëse ndodh do humbisnin sfidën e radhës ndaj Vllaznisë. Interesi për duelin e të mërkurës në orën 18:30 është i madh. Tifozë të shumtë kanë siguruar tashmë prezencën në shkallët e stadiumit “Air Albania”, me numrin e biletave të shitura që vijon të rritet.