Tiranë/ Zbulohet punishtja për prodhimin e silenciatorëve, kapet në Kombinat 30-vjeçari me armë gati për qitje

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Punishtja”, duke çuar në pranga 30-vjeçarin Haxhi Nezaj, banues në Kombinat.

Nezaj u kap në flagrancë në qendër të Kombinatit, duke lëvizur me një armë zjarri të pajisur me silenciator dhe me fishekë në fole, gati për qitje. Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së tij, policia gjeti dhe sekuestroi:

-Një armë zjarri me silenciator

-Një pushkë

-Municion luftarak

-Doza kokaine

-Pajisje të tjera të kundërligjshme

Hetimet zbuluan se në afërsi të banesës së tij ndodhej edhe një punishte që dyshohet se përdorej për prodhimin e silenciatorëve për armë të ndryshme. Sipas policisë, Nezaj i shiste këto pajisje personave të ndryshëm, që më pas mund të përdornin armët në krime kundër personit dhe pronës.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.