Tiranë/ Theu arrestin shtëpiak dhe plagosi me thikë 37-vjeçarin, autori përfundon në pranga

Një 37-vjeçar u plagos me thikë gjatë mesnatës në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë, ndërsa autori, i cili ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për drejtim të parregullt të automjetit, u arrestua nga Policia.

Shërbimet e Komisariatit Nr. 2 u njoftuan për ngjarjen rreth orës 00:10 dhe ndërhynë menjëherë, duke mundësuar identifikimin dhe arrestimin e autorit.

Gjatë operacionit, u sekuestrua edhe mjeti prerës që autori përdori për të plagosur 37-vjeçarin. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë duke vijuar.

Policia bëri të ditur se materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.