Tiranë/ Keqtrajtoi një fëmijë në kopsht, shpallet në kërkim edukatorja
Një edukatore kopshti në Tiranë është shpallur në kërkim nga policia pas një denoncimi të bërë nga babai i një të mituri, i cili pretendon se djali i tij është keqtrajtuar në ambientet e kopshtit.
Sipas njoftimit të policisë, bëhet fjalë për shtetasen R.G., 46 vjeçe, e cila dyshohet se ka keqtrajtuar një fëmije gjatë kohës që ishte në kujdesin e saj si edukatore. Ngjarja është denoncuar në Komisariatin Nr. 6 nga prindi i të miturit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e shtetases R. G. Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme,” njoftoi policia.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa 46-vjeçarja vijon të jetë në kërkim.