Tiranë/ Arrestohet 53-vjeçari, mbante në banesë dy armë zjarri, municion luftarak dhe një thikë
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 53-vjeçar, i cili u kap me dy armë zjarri, municion luftarak dhe një thikë në banesën e tij në fshatin Grorë. Operacioni policor, i koduar “Rifle”, çoi në arrestimin e Arben Krajës, i akuzuar për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore mbi posedimin e armëve në banesën e tij. Gjatë kontrollit, u sekuestruan dy armë zjarri pushkë, municion luftarak dhe një thikë, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse i arrestuari kishte lidhje me veprimtari të tjera kriminale.