Tirana shpallet kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut, Rama: Do të krijojmë një park besimi me bimët e librave të shenjtë

Tirana është përzgjedhur si kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut, një vlerësim që, sipas kryeministrit Edi Rama, konfirmon transformimin e jashtëzakonshëm që ka pësuar qyteti vitet e fundit. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se kjo është një mundësi e madhe për të forcuar mesazhin e bashkëjetesës dhe harmonisë në vend.

Në këtë kuadër, kreu i qeverisë njoftoi nisjen e një konkursi të madh ndërkombëtar për krijimin e një “parku të besimit” në periferi të Tiranës. Ky projekt është konceptuar në bashkëpunim me presidentin dhe qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe do të përmbajë bimë, lule, fruta dhe perime që përmenden në librat e shenjtë të besimeve të ndryshme.

“Ky vit është një shans për ta forcuar më tej këtë mesazh dhe së shpejti do të lançojmë një tjetër konkurs të madh ndërkombëtar, të cilin e kemi konceptuar së bashku me presidentin e Emirateve të Bashkuara. Është një ide që ka kohë që diskutohet, por tani i ka ardhur koha për t’u realizuar. Do të jetë një park i madh ku besimtarë dhe jobesimtarë do të mund të reflektojnë përmes natyrës mbi burimet e besimeve të ndryshme,” deklaroi Rama.

Sipas tij, ky park do të jetë një hapësirë unike ku vizitorët do të mund të gjejnë të gjitha bimët dhe frutat e përmendura në tekstet e shenjta, duke krijuar një urë simbolike mes natyrës dhe besimeve fetare.