Tirana pret 47 liderët europianë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, zbardhet agjenda e takimit
Më 16 maj, Tirana do të mirëpresë Samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje e rëndësishme që mbledh 47 liderë nga i gjithë kontinenti në sheshin “Skënderbej”.
Samiti, i organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe Kryeministri Edi Rama, zhvillohet nën moton “Evropa e re në një botë të re: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”.
Ceremonia hapëse do të nisë në orën 11:00, e ndjekur pas 45 minutash nga seanca plenare e parë, ku liderët do të diskutojnë mbi sigurinë dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e Evropës. Pas drekës, do të zhvillohen takime bilaterale, ndërsa në orën 18:30 është planifikuar konferenca përmbyllëse e përbashkët mes Kryeministrit Rama dhe homologut të tij danez.
Pritja zyrtare e liderëve do të zhvillohet para Muzeut Historik Kombëtar, ndërsa tryezat tematike do të trajtojnë sfidat e sigurisë demokratike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe fuqizimin e të rinjve në nivel kontinental.
Mes liderëve që do të marrin pjesë janë Kryeministri britanik Keir Starmer, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe shumë të tjerë. Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në proceset politike evropiane dhe stabilitetin rajonal.