Tirana ‘prek’ finalen e Kupës, shkatërron Teutën në ‘Elbasan Arena’

Tirana ka hedhur një hap drejt finales së madhe të Kupës së Shqipërisë.

Bardheblutë mposhtën në takimin e parë gjysmëfinal 3-0 Teutën dhe 90 minutëshi i kthimit mund të rezultojë formalitet për skuadrën e Orges Shehit. Kryeqytetasit ishin dominues në fushën e lojës dhe me synime të qarta për të prekur finalen e madhe.

Rastet e shumta të krijuara u konkretizuan vetëm në fundin e pjesës së parë. Futbollisti i momentit, Florent Hasani i shpëtoi pozicionit jashtë loje dhe pas një sprinti nga mesi i fushës fitoi garën me mbrojtësit dhe shënoi golin e epërsisë.

Një avantazh që dërgoi Tiranën në dhomat e zhveshjeve më të qetë. Në fraksionin e dytë, tekniku Edi Martini u përpoq të ndryshojë fytyrën e Teutës, por ndryshimet nuk sollën rezultatin e pritshëm. Madje, Tirana e shfrytëzoi në maksimum, me Bruno Lulaj që shënoi edhe golin e dytë.

Llogaritë e këtij 90 minutëshi i mbylli Lushkja me një gol tepër të bukur. Me avantazhin e trefishtë, Tirana shkon e qetë në duelin e kthimit, që do të luhet në 11 maj në stadiumin “Niko Dovana”. Durrsakët i pret një sfidë tepër e vështirë, teksa Tirana është shumë pranë dopietës së titujve, pasi kryeson bindshëm renditjen edhe në Superligën shqiptare.

Check Also

Ekzekutoi shqiptarin në Greqi në 2010, arrestohet pas 14 vitesh Dritan Hoxha

Pas 14 vitesh në arrati është arrestuar Dritan Hoxha, i akuzuar për vrasjen e bashkatdhetarit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *