Tirana përgatitet për sfidën me Serbinë, nis çmontimi i bizneseve në zonën e stadiumit “Arena Kombëtare”

Tirana është vënë në lëvizje për të garantuar sigurinë maksimale për sfidën e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të zhvillohet të shtunën, më 7 qershor, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Në funksion të masave të sigurisë, ka nisur prej ditës së sotme çmontimi i të gjitha bizneseve të vogla në zonën përreth stadiumit, përfshirë kioskat dhe struktura të tjera të përkohshme. Ky veprim është ndërmarrë për të shmangur çdo incident të mundshëm dhe për të garantuar rendin përpara, gjatë dhe pas ndeshjes.

Kjo është hera e dytë që Tirana ndërmerr një masë të tillë drastike për një ndeshje futbolli, pas finales së Conference League të zhvilluar në vitin 2022, e cila solli një sërë kufizimesh në qytet dhe mbështetje logjistike masive.

UEFA dhe Policia e Shtetit e kanë klasifikuar takimin si “të rrezikshmërisë së lartë”, edhe pse nuk do të ketë tifozë udhëtues nga Serbia, në përpjekje për të shmangur përplasjet e mundshme mes tifozerive.