Tirana mikpret samitin global të kryebashkiakëve! “Pact of Free Cities” mbledh liderët e metropoleve më të mëdha

Më 5 shkurt, Tirana do të jetë mikpritësja e një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të vitit: Pact of Free Cities (Pakti i Qyteteve të Lira). Ky rrjet global qytetesh, i krijuar nga kryebashkiakët e kryeqyteteve të Vishegradit, ka për mision mbrojtjen e demokracisë, lirisë dhe vlerave progresive.

Në këtë samit do të marrin pjesë kryebashkiakë të rëndësishëm nga e gjithë bota, mes tyre Anne Hidalgo e Parisit dhe Jaume Collboni Cuadrado i Barcelonës, ndërsa do të firmoset edhe një deklaratë e përbashkët për angazhime të reja. Diskutimet do të përqendrohen në çështje të rëndësishme si siguria e qyteteve në kohë krizash, qëndrueshmëria urbane dhe migracioni. Pritet që në event të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Metropole të mëdha si Athina, Amsterdami, Berlini, Budapesti, Brukseli, Londra, Los Angeles, Parisi, Roma, Vjena, Varshava dhe Kievi janë pjesë e këtij rrjeti, duke e bërë këtë takim një platformë kyçe për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes qyteteve.

Ky samit vjen në një moment kur qytetet po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në formësimin e politikave progresive globale, ndërsa “Pact of Free Cities” synon të sigurojë fonde direkte nga BE-ja për zhvillimin urban. Organizimi i këtij eventi rrit peshën e Tiranës si një aktor me ndikim në arenën ndërkombëtare, duke e pozicionuar atë krah qyteteve që mbështesin një shoqëri të hapur, të lirë dhe të barabartë.