Tirana humb pjesë para dueleve Europiane, portieri e sulmuesi drejt largimit
Me llogaritë e titullit të hapura, Tiranës i duhet të përgatitet edhe për ndryshime në organikë.
Klubi bardheblutë pritet që pas përfundimit të garave, kampionatit dhe Kupës të mendojë për skuadrën e së ardhmes. Gjithçka do të fillojë nga porta, me gardianin Visar Bekaj që e ka vendosur kështu të ardhmen.
Portieri i kombëtares së Kosovës ka vendosur të vijojë karrierën jashtë kufinjve të Shqipëisë, te Hatayaspor në Superligën turke, për të krijuar një gropë në skuadrën kryeqytetase.
26-vjeçari e ka pasur fare të lehtë për të negociuar, pasi kontrata i skadon në fund të qershorit. Një largim me tepër peshë, me Tiranën që duhet të gjej shumë shpejt pasuesin, pasi aventura Europiane do të nis në mesin e muajit korrik.
Në dyshim për qëndrimin në kryeqytet është edhe sulmuesi kryesor, Florent Hasani, i cili ka një kontratë deri në fundin e sezonit tjetër. Gjithsesi interesi për 26-vjeçarin është i madh nga jashtë vendit, duke parë edhe paraqitjen fenomenale në këtë vit kalendarik. Ndryshe nga Bekaj, Tirana pritet të përfitojë ndjeshëm nga largimi i Hasanit, shifër që do përdoret për të gjetur edhe zëvendësuesin.