Tirana “historike” për Merz, kancelari gjerman në samitin e tij të parë europian
Takimi i “Komunitetit Politik Europian” në Tiranë ka shënuar një moment të rëndësishëm për kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili për herë të parë mori pjesë në një samit europian që nga marrja e detyrës së re.
Shqipëria u bë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që organizoi dhe mikpriti këtë format të gjerë diskutimesh, ku morën pjesë rreth 50 kryetarë shtetesh dhe qeverish nën moton “Europa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”.
Përveç 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në këtë samit u përfshinë edhe vende të tjera europiane, si Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj mori pjesë personalisht për të përcjellë mesazhin e qëndrueshmërisë kundër agresionit rus. Nga ana tjetër, Rusia dhe aleatja e saj e ngushtë, Bjellorusia, nuk u ftuan, duke nënvizuar distancën e qartë politike të komunitetit europian ndaj këtyre vendeve.
Për Merz, samiti në Tiranë ishte një mundësi e rëndësishme për të forcuar pozicionin e tij në skenën europiane, pasi më herët ka zhvilluar takime të rëndësishme në Paris, Varshavë, Bruksel dhe Kiev, duke u prezantuar si një lider i angazhuar për forcimin e unitetit europian.
Sipas politologut Janis Emmanouilidis nga qendra “European Policy Center” në Bruksel, pritshmëritë ndaj kancelarit Merz janë shumë të larta, si brenda vendit ashtu edhe në nivel europian. Ai thekson se Merz duhet të fitojë besimin e popullit dhe të konsolidojë pozicionin e tij brenda qeverisë për të përmbushur këto pritshmëri.
“Ndonjëherë pyes veten mos vallë pres shumë prej një kancelari, të cilit tani i duhet kohë të ambientohet me rolin e tij të ri,” thotë Emmanouilidis, duke theksuar se suksesi i Merz do të varet nga aftësia e tij për të ndikuar në vendimmarrjen europiane dhe për të marrë drejtimin në çështje kyçe të politikës ndërkombëtare.