Tinka Kurti rrëfehet nga azili i të moshuarve: Doja të ikja sa më parë, por këtu ka njerëz të mrekullueshëm

Ikona e kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti, ka rrëfyer për herë të parë se aktualisht jeton në një azil për të moshuarit në periferi të Tiranës. Rrëfimi prekës i aktores së madhe u transmetua përmes një videomesazhi në spektaklin “Big Brother Albania VIP 4”, gjatë një dedikimi për aktorin Laert Vasili.

Ajo tregoi se fillimisht e përjetoi me trishtim vendosjen në këtë ambient, por me kalimin e kohës ka gjetur ngrohtësi dhe mirëkuptim nga stafi dhe banorët e tjerë.

“Kam pasur shumë probleme. Kam pasur fatin tjetër që erdha në këtë shtëpi që është një mrekulli, por për mua ishte një tragjedi. Doja që të ikja sa më parë, por tani nuk them se dua të ik, sepse ka njerëz të mrekullueshëm,” u shpreh Kurti.

Në rrëfimin e saj, aktorja nuk la pa përmendur edhe ndarjen nga jeta të aktores tjetër të madhe, Margarita Xhepa, e cila e ka prekur thellë.

“Na iku Margarita. Na la një dhimbje të madhe. Për mua ka qenë tronditje, sepse unë kam fituar nga ajo. Ne jemi artistë që i kemi shërbyer popullit, dhe do i shërbejmë këtij kombi deri në frymën e fundit,” tha ajo me emocion.

Tinka Kurti, e njohur për rolet e saj të shumta në film dhe teatër, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, duke luajtur në mbi 50 filma artistikë dhe 150 shfaqje teatrore. Ajo mbetet një figurë e dashur dhe e respektuar për publikun shqiptar.