TikTok: Ndalimi në SHBA-së do të kishte ndikim në lirinë e fjalës

15 minuta. Kjo është koha që do të ketë në dispozicion që TikTok  të bindë një gjykatë apeli në SHBA që të mos lejojë ndalimin e rrjetit social në këtë vend, ku numëron 170 milionë përdorues. Këto 15 minuta mund të jenë më domethënëset për ekzistencën e TikTok-ut në SHBA. Kompania po lufton për mbijetesën e saj përballë ligjit, të firmosur nga presidenti Joe Biden, masat e të cilit mund të nisin të zbatohen që në Janar.

Ligji i firmosur nga Biden synon të ndalojë TikTok-un në pajisjet personale të amerikanëve. Opsioni tjetër është që kompania kineze mëmë ByteDance, t’ia shesë me shpejtësi TikTok-un dikujt tjetri, që mund t’i japë fund aplikacionit që njohim sot.

Teksa afati për një ndalim të mundshëm po afrohet, TikTok dhe ByteDance u janë drejtuar gjykatës duke kërkuar bllokimin e ligjit dhe deklarimin e tij si antikushtetues mbi bazat e Amendamentit të Parë.

TikTok nuk do të ketë luksin e një gjyqi të plotë për të kundërshtuar vazhdimësinë e ekzistencës së tij në kushtet që ndodhet.Kjo pasi ligji në fjalë kërkon që çdo betejë ligjore të anashkalojë gjykatën federale të rrethit dhe të shkojë direkt në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Columbia, brenda një afati të shkurtër kohor.

Siç shpjegon dhe CNN, TikTok dhe aleatët e saj do të përpiqen të shpjegojnë përse gjykata duhet të refuzojë ligjin dhe ta parandalojë që të futet në fuqi. Pala tjetër do të shpjegojë përse një ndalim i mundshëm i TikTok apo një shitje e detyruar e tij, është e vetmja mënyrë për të mbajtur të sigurt përdoruesit amerikanë.

Pyetja kyçe me të cilën përballet paneli i së hënës është: A është rreziku hipotetik i spiunimit kinez përmes TikTok-ut një kërcënim aq i madh për sigurinë kombëtare sa të justifikojë një ligj federal që mund të cenojë të drejtat kushtetuese të amerikanëve për lirinë e fjalës? Nuk është e qartë kur gjykata do të dalë me një vendim, nëse do ta bllokojë ose jo legjislacionin në fjalë. Por afati i përcaktuar nga ligji është data 19 Janar për TikTok-un, ndaj është e mundur që gjykata të thotë fjalën e saj përpara kësaj date.