TikTok mbyllet të dielën në SHBA, Gjykata e Lartë refuzon apelimin, vendimi prek 170 milionë përdorues

TikTok do të mbyllet të dielën në Shtetet e Bashkuara, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që mbështeti ligjin që ndalon aplikacionin, nëse kompania e tij mëmë, ByteDance, nuk e shet platformën deri më 19 janar. Ky vendim do të ndikojë në mbi 170 milionë përdorues të TikTok në SHBA.

ByteDance kishte sfiduar ligjin duke argumentuar se ai shkel të drejtën e fjalës së lirë, por ky argument u refuzua nga gjykata më e lartë e vendit. Kjo do të thotë se TikTok tani duhet të gjejë një blerës të miratuar për versionin amerikan të aplikacionit, ose të përballet me një ndalim të plotë.

Zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare lidhur me lidhjet e mundshme të ByteDance me qeverinë kineze, duke e akuzuar aplikacionin për shkelje të privatësisë dhe mbledhje të të dhënave personale.

Nëse ndalimi hyn në fuqi, përdoruesit që tentojnë të hapin aplikacionin do të përballen me një mesazh që i drejton në një faqe interneti për të informuar më shumë mbi ndalimin e mundshëm të platformës.