TikTok mbyllet në SHBA! Aplikacioni nuk është më funksional, kompania shpreson për një zgjidhje
TikTok ka ndaluar së funksionuari në Shtetet e Bashkuara gjatë orëve të vona të së shtunës, pasi hyri në fuqi ligji që ndalon përdorimin e aplikacionit në vend. Platforma tashmë nuk është më e disponueshme për shkarkim në App Store të Apple dhe Play Store të Google.
Kjo vjen si pasojë e një ligji të miratuar nga Kongresi Amerikan në prill, i cili kërkoi që kompania mëmë, ByteDance, të shiste TikTok-un një pronari jo-kinez ose të përballej me një ndalim total. ByteDance vendosi të mos e shesë aplikacionin, duke e lënë TikTok jashtë tregut amerikan.
Në një deklaratë, kompania tha se një investim i tillë “nuk është i mundur: as komercialisht, as teknologjikisht, as ligjërisht”.
Mbyllja e TikTok ka qenë në diskutim për pesë vite. Ish-presidenti Donald Trump fillimisht propozoi ndalimin e tij në vitin 2020, por përpjekjet atëherë nuk patën sukses. Megjithatë, Kongresi miratoi ligjin për Mbrojtjen e Amerikanëve nga Aplikimet e Kontrolluara nga Kundërshtarët e Huaj, duke detyruar zbatimin e kësaj mase drastike.
Në një mesazh për përdoruesit, TikTok shprehu keqardhje për situatën dhe theksoi se shpreson të arrijë një zgjidhje në të ardhmen. “Jemi me fat që Presidenti Trump ka treguar gatishmëri për të punuar me ne për të rivendosur TikTok sapo të marrë detyrën. Ju lutemi qëndroni të sintonizuar,” thuhej në mesazhin për përdoruesit që përpiqeshin të hapnin aplikacionin.
Kompania ka argumentuar se bllokimi shkel të drejtat e lirisë së fjalës, por nuk arriti të bindë autoritetet amerikane për të ndaluar këtë vendim. Mbyllja e aplikacionit ka ngjallur shqetësime te përdoruesit, veçanërisht te të rinjtë, të cilët përbënin një pjesë të madhe të bazës së përdoruesve të TikTok në SHBA.