“Ti solle të ftohtin nga Brukseli, ne diellin” – Batutat e Ramës me Kaja Kallas në vizitën e saj të parë në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në Tiranë shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në një vizitë që ai e cilësoi si të veçantë dhe mbresëlënëse për vendin tonë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Rama u ndal jo vetëm te rëndësia politike e takimit, por nuk ngurroi të shtonte edhe nota humori.
“Vizita e Kaja Kallas solli një kombinim pak të çuditshëm për ne, midis diellit dhe të ftohtit. Ne kemi vendosur diellin, ti ke sjellë të ftohin nga Brukseli. Por të jesh e bindur që herës tjetër do të ketë vetëm diell dhe s’do të ketë më vend për të ftohtin”, u shpreh Rama me batutë.
Kryeministri vlerësoi Kallas si një mbështetëse të palëkundur të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por edhe të vetë vizionit të unifikimit të Evropës.
“Kaja është një vlerë e shtuar për ne si në aspektin institucional, ashtu edhe në atë personal. Ajo vjen në një moment shumë të veçantë për të gjithë ne dhe është një zë i fortë në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE. Bashkëpunimi ynë është i përditshëm dhe gjithmonë i përputhur me qasjen evropiane”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.
Vizita e Kallas vjen në një moment kyç për marrëdhëniet Shqipëri–BE, ndërsa vendi ynë vijon rrugën e reformave drejt anëtarësimit të plotë në Union.