Thirrja e Ramës për ristrukturim sjell dorëheqje masive edhe në Bashkinë e Librazhdit
Pas thirrjes së Kryeministrit Edi Rama për një ristrukturim të thelluar të administratës vendore, dorëheqjet masive kanë mbërritur edhe në Bashkinë e Librazhdit. Pas një mbledhjeje maratonë që zgjati deri në orën 17:30 të së hënës, drejtuesit vendorë iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së kreut të qeverisë.
Në përfundim të diskutimeve, kanë dhënë dorëheqjen nënkryetarët e bashkisë, administratorët e njësive administrative, si dhe të gjithë drejtorët e institucioneve që kishin mbi dy vite në detyrë. Ky vendim vjen si pjesë e një nisme më të gjerë për të sjellë frymë të re në administratën publike dhe për të rritur efikasitetin dhe llogaridhënien në nivel lokal.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës së sotme, dorëheqje të ngjashme u raportuan edhe në Bashkinë e Elbasanit, duke shënuar një valë të gjerë ndryshimesh në qarkun Elbasan. Ende nuk ka njoftime zyrtare nga bashkitë Prrenjas, Gramsh, Cërrik, Belsh dhe Peqin, por burime jozyrtare flasin për diskutime të ngjashme në proces.