Theu masën e arrestit dhe kanosi me thikë një person, prangoset 36-vjeçari në Vlorë

Ndërhyrja e menjëhershme e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, parandalon përshkallëzimin e një konflikti të dhunshëm.

Shkeli masën e “arrestit në shtëpi” dhe kanosi me thikë një shtetas, vihet në pranga 36-vjeçari.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe ndërhyrjes profesionale të shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, u bë e mundur parandalimi i përshkallëzimit të një konflikti që mund të kishte pasoja të rënda dhe vënia në pranga e shtetasit A. Ç., 36 vjeç, banues në lagjen “Osman Haxhiu”, Vlorë.

Ky shtetas, në lagjen “Uji i Ftohtë”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. M., 35 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Vlorë.

Nga verifikimet rezultoi se A. Ç. ka thyer masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. Ç., për veprat penale “Kanosja”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.