Thellohen tensionet Moskë-Beograd, mediat serbe: Perëndimi po ndihmon Rusinë të financojë luftën kundër Ukrainës
Raportet mes Rusisë dhe Serbisë kanë marrë një kthesë të papritur, pasi inteligjenca ruse akuzoi Serbinë për shitjen e armëve Ukrainës, ndërsa mediat serbe pohojnë se Perëndimi po ndihmon Moskën financiarisht në luftën kundër Ukrainës. Një nga gazetat më të njohura serbe, Danas, shkruan se Rusia vazhdon të fitojë miliarda euro nga eksportet e lëndëve djegëse fosile në vendet perëndimore, duke përdorur këto të ardhura për të mbajtur në këmbë “makinën e luftës” kundër Ukrainës, e cila ka hyrë në vitin e katërt.
Sipas Danas, të dhënat e analizuar nga BBC tregojnë se aleatët perëndimorë i paguajnë Rusisë më shumë për naftën dhe gazin sesa i japin ndihmë Ukrainës. Lëndët djegëse fosile përbëjnë rreth një të tretën e të ardhurave shtetërore të Rusisë dhe mbi 60% të eksporteve të saj.
Pas pushtimit të shkurtit 2022, vendet perëndimore vendosën sanksione ndaj hidrokarbureve ruse, por disa prej tyre, përfshirë BE-në, nuk kanë ndaluar plotësisht importin e gazit rus. Kjo ka lejuar Rusinë që të gjenerojë më shumë se 883 miliardë euro të ardhura nga eksporti i këtyre lëndëve që nga fillimi i luftës, përfshirë 209 miliardë euro nga vendet anëtare të BE-së.
Pavarësisht përpjekjeve për sanksione më të ashpra, të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe gazi ranë vetëm pak në vitin 2024, duke vijuar të mbështesin financiarisht konfliktin në Ukrainë. Eksportet e gazit rus në Evropë pritet të rriten në vitin 2025, ndërsa Bashkimi Evropian ka miratuar një plan për të ndaluar importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027.
Kaja Callas, shefe e politikës së jashtme të BE-së, ka pohuar se sanksionet nuk janë më të forta për shkak të frikës së disa shteteve anëtare nga një përshkallëzim i konfliktit dhe për shkak të kostove afatshkurtra të energjisë. Aktivistë ndërkombëtarë theksojnë se politikanët perëndimorë hezitojnë të kufizojnë eksportet ruse të naftës nga frika e çmimeve të larta të energjisë dhe trazirave në tregjet globale.