“The Telegraph”: Kryeministri 1.98 metra i gjatë që e bëri Starmerin të dukej i vogël në skenën botërore! Zyrtarët evropianë e amerikanë, e shohin Ramën si forcë stabilizuese në rajon
Artikull i botuar në The Telegraph, përkthyer dhe përshtatur nga REPLIKË
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shihet si një figurë kyçe për stabilitetin në Ballkan nga liderët evropianë dhe amerikanë, pavarësisht sfidave të brendshme me korrupsionin dhe sundimin e ligjit, shkruan gazeta britanike “The Telegraph” në një analizë të fundit.
Lideri që sfidon homologët
Rama, i cili ka një gjatësi mbresëlënëse prej 1.98 metrash dhe është ish-basketbollist profesionist, është bërë një figurë me ndikim në skenën ndërkombëtare, duke krijuar marrëdhënie të ngushta me liderë perëndimorë si Tony Blair dhe Alastair Campbell. Ai e modeloi Partinë Socialiste të Shqipërisë sipas stilit të Laburistëve të Rinj të Britanisë dhe konsideron Blair-in si një këshilltar të afërt.
Pavarësisht kësaj, Rama nuk heziton të sfidojë homologët e tij evropianë, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme si migracioni. Në një konferencë për shtyp në Tiranë, Rama refuzoi qartë idenë e ngritjes së qendrave për azilkërkuesit e refuzuar nga Britania, një plan që kryetari i Laburistëve britanik, Keir Starmer, e kishte propozuar më herët. “Disa vende na kanë pyetur nëse jemi të hapur për këtë dhe ne kemi thënë jo,” tha Rama, duke nënvizuar se Shqipëria kishte pranuar të ngrinte vetëm dy qendra për Italinë, për shkak të “marrëdhënieve të ngushta” mes dy vendeve.
Sfida e korrupsionit dhe sundimit të ligjit
Megjithëse Rama është përshëndetur si një lider reformator dhe stabilizues në rajon, ai vazhdon të përballet me kritika të ashpra për korrupsionin dhe bashkëpunimin e mundshëm me krimin e organizuar. Gjatë zgjedhjeve të fundit, Partia Socialiste e Ramës siguroi 52 përqind të votave, ndërsa opozita e drejtuar nga Sali Berisha, një ish-kryeministër 80-vjeçar dhe kritik i ashpër i Ramës, mori vetëm 34 përqind.
Berisha e akuzon Ramën për manipulime zgjedhore dhe lidhje me krimin e organizuar, duke e quajtur qeverinë e tij një “narkoshtet”. Këto akuza përforcohen edhe nga skandali i ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me Ramën për të goditur kundërshtarët politikë. Rama i ka mohuar me forcë këto akuza, duke i quajtur ato si përpjekje për të njollosur reputacionin e tij ndërkombëtar.
Ambiciet evropiane
Rama është gjithashtu një mbështetës i fortë i integrimit evropian të Shqipërisë dhe ka punuar për ta larguar vendin nga ndikimi rus, duke thelluar lidhjet me BE-në dhe NATO-n. Ai ka vendosur gjithashtu lidhje të ngushta me liderë si Giorgia Meloni, kryeministrja italiane, të cilën e ka quajtur një “motër të vogël” të Shqipërisë. Të dy liderët kanë nënshkruar marrëveshje për qendrat e kthimit të migrantëve dhe bashkëpunim për sigurinë kufitare.
Një lider me stil të veçantë
Rama, i cili dikur ishte një artist që studioi në Paris, është i njohur për stilin e tij të pazakontë dhe mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit. Si kryetar bashkie i Tiranës, ai rilyeu arkitekturën gri sovjetike të kryeqytetit në ngjyra të ndezura, një veprim që u përball me kundërshtime nga burokratët evropianë, por që ndihmoi në riformësimin e imazhit të qytetit.
Gazeta britanike përshkruan se, pavarësisht këtyre përpjekjeve, “diplomatët miqësorë të BE-së e përshkruajnë dështimin e zotit Rama për të çrrënjosur korrupsionin si çmimin e kryerjes së çdo pune në vend.”
Ambiciet për të ardhmen
Në një intervistë me “Politico”, Rama komentoi gjithashtu për përpjekjet e Berishës për të imituar stilin e fushatave të Donald Trump, duke thënë: “Të punësosh LaCivitën dhe të mendosh se mund të bëhesh Trump është si të punësosh një parukier në Hollywood dhe të mendosh se do të bëhesh Brad Pitt.”
Pavarësisht kritikave, Rama mbetet optimist për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe shpreson ta bëjë vendin pjesë të BE-së deri në vitin 2030.