Thaçi kthehet në Prishtinë, lejohet të vizitojë babain e sëmurë, brohorima “UÇK, UÇK” pranë spitalit, Rama: Ky është burrë
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është lejuar të kthehet në Prishtinë për të vizituar babain e tij, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Klinikën Interne. Pas dy kërkesave të refuzuara, Dhomat e Specializuara i dhanë leje për këtë vizitë, e cila u zhvillua mes masave të rrepta të sigurisë nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
Gjatë qëndrimit të tij prej rreth 3 orësh e gjysmë, pranë Klinikës Interne u mblodhën qindra qytetarë, të cilët e përshëndetën me brohoritje “Thaçi, Thaçi” dhe “UÇK, UÇK”. Në oborrin e spitalit ishin të pranishëm edhe vëllezërit e Thaçit: Blerimi, Idrizi dhe Ganiu.
Pas përfundimit të vizitës, ish-presidenti u largua nga spitali nën shoqërimin e forcave të EULEX-it.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për kthimin e Thaçit në Kosovë, duke postuar një foto të tij dhe duke shkruar “Burrë”, së bashku me ikonën e shqiponjës.
Ish-presidenti i Kosovës ndodhet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020, ku po gjykohet nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte. Së fundmi, ai përballet edhe me një aktakuzë për ndikim në administrimin e drejtësisë.