Tha se ishte në Tiranë, gjoba e makinës rrëzon alibinë e Eria Agos për vrasjen e Fatbardh Licit

E dashura e Safet Bajrit, Eria Ago, ka mohuar akuzat e SPAK për përfshirje në vrasjen e Fatbardh Licit më 10 gusht 2018, duke pretenduar se ndodhej në Tiranë dhe jo në Shkodër ditën e krimit. Megjithatë, një gjobë e vendosur për makinën që ajo drejtonte atë ditë në Shkodër ka nxjerrë zbuluar alibinë e saj.

Sipas dosjes së SPAK, automjeti tip “Mercedes Benz CL” me targë ‘AA989TE’, i drejtuar nga Ago, ka marrë gjobë në Shkodër pikërisht më 10 gusht 2018. Kjo provë kundërshton dëshminë e saj dhe forcon dyshimet se ajo jo vetëm që ndodhej në Shkodër, por edhe se kishte dijeni për ngjarjen.

SPAK e akuzon Agon për “përkrahje të autorëve të krimit”, pasi dyshohet se ka transportuar nga Shkodra në Tiranë Astmer Bilalin, një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen. Prokuroria thotë se ajo ka drejtuar mjetin që ndihmoi arratisjen e tij pas krimit.

Eria Ago u arrestua më 26 shkurt, pas arrestimit të Safet Bajrit më 21 shkurt, i cili akuzohet se ka organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e Fatbardh Licit, së bashku me Astmer Bilalin dhe kushëririn e tij, Behar Bajrin.