Tha se e ndihmoi dhëndri i vëllait të Minisitrit të Drejtësisë, Nasip Naço reagon pas akuzave të Nuredin Dumanit

Ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka reaguar pas dëshmisë së bërë nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, në seancën me dyer të mbyllura në GJKKO. Dumani ka deklaruar se për të dalë nga burgu është ndihmuar nga dhëndri i vëllait të ministrit të Drejtësisë.

Në një deklaratë publike, Naço ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me çështjen dhe ka ftuar organet e drejtësisë që të kryejnë hetime të thelluara. Ai theksoi se akuzat nuk përputhen me faktet dhe nuk kanë asnjë bazë ligjore.

Në reagimin e tij, Nasip Naço tha:

1. “Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë.”

2. “Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri nuk heton, nuk ngre akuza, nuk pushon çështje dhe nuk jep vendime për fajësi apo pafajësi.”

3. “Gjatë ushtrimit të detyrës sime, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë.”

4. “Distancohem nga çdo mashtrim i bërë nga kushdo, për të dëmtuar integritetin tim.”

Nasip Naço ka theksuar se qëndrimi i tij është i qartë dhe se do të mbështesë çdo hetim të drejtësisë për të zbardhur të vërtetën. Akuzat publike, sipas tij, synojnë të dëmtojnë integritetin e tij dhe nuk bazohen në fakte.

Organi i drejtësisë pritet të hetojë më tej për të sqaruar rrethanat e kësaj çështjeje.