Testi 90-minutësh që parashikon jetëgjatësinë! Rrjedhshmëria verbale tregon sa i shëndetshëm është truri juaj

Një studim i ri i publikuar në revistën Psychological Science ka zbuluar se rrjedhshmëria verbale – aftësia për të kujtuar me shpejtësi dhe saktësi fjalë nga kategori të caktuara – është një nga treguesit më të fuqishëm të jetëgjatësisë tek të moshuarit.

Sipas rezultateve, ata që treguan performancë të lartë në këtë test jetuan mesatarisht gati 9 vjet më shumë se pjesëmarrësit me rezultate të ulëta.

Studimi u bazua në të dhënat e 516 të moshuarve mbi moshën 70 vjeç, të ndjekur për një periudhë deri në 18 vjet, duke u përqendruar në aftësitë e tyre njohëse.

Si u krye studimi:

Pjesëmarrësit, me moshë mesatare 85 vjeç dhe të ndarë në mënyrë të barabartë sipas gjinisë dhe moshës, iu nënshtruan nëntë testeve që matën katër funksione kryesore mendore nga viti 1990 deri në 2009:

-Shpejtësia perceptuese – përmes ushtrimeve me simbole, numra dhe imazhe.

-Kujtesa episodale – përmes kujtimit të fjalëve dhe tregimeve.

-Rrjedhshmëria verbale – listimi i kafshëve dhe fjalëve që fillojnë me shkronjën “S”.

-Njohuritë gjuhësore – madhësia e fjalorit dhe dallimi mes fjalëve të vërteta dhe të pavërteta.

Rezultatet ishin të qarta: çdo kafshë shtesë e përmendur në testin e kafshëve lidhej me një ulje prej 5.6% të rrezikut për vdekje, ndërsa çdo fjalë shtesë që fillonte me “S” ulte këtë rrezik me 3.7%.

Pse ka rëndësi rrjedhshmëria verbale?

Ky funksion njohës konsiderohet hibrid, pasi përfshin:

-Aftësi fluide – kujtesë aktive dhe përpunim i shpejtë i informacionit.

-Aftësi të kristalizuara – njohuri gjuhësore të ruajtura gjatë jetës.

Kjo e bën testin veçanërisht të ndjeshëm ndaj problemeve të hershme mendore, si demenca, dëmtimi i lehtë kognitiv dhe sëmundja e Parkinsonit.

Si ta testoni vetë veten ose një të afërm:

Kërkohen:

-Një kronometër (90 sekonda)

-Letër dhe stilolaps ose aplikacion për regjistrim audio

Testi 1: Kafshët

-Brenda 90 sekondave, listoni sa më shumë kafshë që ju vijnë ndërmend.

-Numëroni vetëm emërtimet unike.

Testi 2: Fjalët me “S”

-Brenda 90 sekondave, përpiquni të thoni sa më shumë fjalë që fillojnë me shkronjën “S”.

-Numëroni vetëm fjalët e ndryshme, pa përsëritje.

Si interpretohen rezultatet:

-33 kafshë të përmendura = jetëgjatësi mesatare rreth 12 vjet më shumë.

-11 kafshë = mbijetesë mesatare rreth 3 vjet.

-22 fjalë me “S” = jetëgjatësi dukshëm më e madhe se për vetëm 7 fjalë.

Ky test i thjeshtë mund të shërbejë si një dritare drejt shëndetit të trurit dhe jetëgjatësisë suaj. Herën tjetër që vizitoni prindërit apo gjyshërit, provoni këtë lojë me fjalë – jo vetëm për argëtim, por ndoshta edhe për parandalim.