Tërmeti tragjik në Mianmar, mbi 1700 të vdekur – gruaja shpëtohet pas 60 orësh nga rrënojat
Shpresat për të gjetur të mbijetuar po shuhen në Mandalay, Mianmar, pas tërmetit shkatërrues me magnitudë 7.7, i cili la mbi 1700 të vdekur në Mianmar dhe Tajlandë. Ekspertët paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm, veçanërisht në Mianmar, ku mungesa e burimeve dhe konflikti civil e vështirësojnë ndihmën.
Tërmeti u pasua nga një pasgoditje e fortë me magnitudë 6.7, duke shkaktuar panik dhe shkatërrime deri në 1000 kilometra larg epiqendrës, përfshirë Bangkokun, ku 18 persona humbën jetën nga shembja e një ndërtese 30-katëshe.
Në Mandalay, përpjekjet e shpëtimit po ngadalësohen për shkak të temperaturave ekstreme, të cilat arrijnë deri në 40°C. Ndërkohë, një grua u shpëtua mrekullisht pas 60 orësh e bllokuar nën rrënojat e një hoteli. Kushtet tropikale dhe dekompozimi i trupave e bëjnë procesin e identifikimit të viktimave edhe më të vështirë.
Ekipet e shpëtimit po luftojnë kundër kohës për të gjetur të mbijetuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po mobilizohet për ndihmë.