Tërmeti shkatërrues në Mianmar, junta ushtarake vazhdon bombardimet mes katastrofës

Junta ushtarake e Mianmarit vijon sulmet ajrore dhe bombardimet e artilerisë edhe pas tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin më 28 mars, duke shkaktuar mijëra viktima.

Lëkundja e fuqishme me magnitudë 7.7 pati epiqendrën në një rajon të përfshirë prej vitesh nga lufta civile, pas grushtit të shtetit të vitit 2021. Sipas burimeve vendase dhe mediave, junta nuk ka ndalur ofensivën ndaj grupeve të armatosura opozitare, pavarësisht katastrofës natyrore.

Ndërkohë, junta i është drejtuar komunitetit ndërkombëtar për ndihmë, por nuk ka gjasa të fitojë mbështetje nga qytetarët, për shkak të represionit të vazhdueshëm.

Sipas gazetës DVB, mes 28 dhe 30 marsit janë regjistruar të paktën 11 sulme ajrore dhe bombardime artilerie, ku kanë humbur jetën të paktën 10 persona. Unioni Kombëtar Karen dhe burime të tjera raportojnë për vazhdimin e ofensivës ushtarake.

Përveç bombardimeve, forcat ushtarake kanë vendosur një orar policor që ndalon lëvizjen pas orës 22:00, duke penguar operacionet e kërkimit dhe shpëtimit. Studiuesi i të drejtave të njeriut, Manny Maung, e ka cilësuar këtë një veprim skandaloz, që përkeqëson vuajtjet e civilëve.