Tërmeti katastrofik në Mianmar – Ekspertët: Numri i viktimave mund të kalojë 10 mijë

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 Rihter ka goditur Mianmarin, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe një numër të lartë viktimash. Sipas të dhënave të fundit, raportohet se të paktën 1,700 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 3,400 të tjerë janë plagosur. Autoritetet lokale njoftojnë gjithashtu se rreth 300 qytetarë rezultojnë të zhdukur.

Ekspertët e Agjencisë së Shërbimit Gjeologjik të SHBA-ve paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm në ditët në vijim dhe të kalojë shifrën e 10,000. Gjithashtu, raportohet për dëme të mëdha ekonomike, të cilat mund të tejkalojnë prodhimin vjetor të vendit.

Situata në Mianmar është bërë edhe më e rëndë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm civil që ka paralizuar vendin dhe ka krijuar një krizë humanitare të rëndë. Rrugët e dëmtuara dhe trazirat e brendshme e kanë bërë të vështirë ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit, duke rritur frikën se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm.

Tërmeti, i cili goditi mesditën e së premtes (28 mars) pranë Mandalait, është pasuar nga disa pasgoditje të fuqishme, përfshirë një tërmet me magnitudë 6.4. Ndërtesa të shumta janë shembur, përfshirë disa që strehojnë nëpunës civilë, ndërsa autoritetet kanë bllokuar hyrjen në disa zona të qytetit për shkak të rrezikut të shembjeve të mëtejshme.