“Tërmet në Bashkinë e Vlorës! Rama urdhëron: Të gjithë drejtorët, jashtë!”
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e së enjtes një takim urgjent në ambientet e Bashkisë së Vlorës. Në këtë mbledhje me dyer të mbyllura, të pranishëm kanë qenë kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, drejtues të drejtorive vendore, deputetët aktualë dhe ata të zgjedhur nga zgjedhjet e 11 majit.
Takimi ka zgjatur rreth 90 minuta dhe është karakterizuar nga tone të ashpra dhe kërkesa të drejtpërdrejta nga ana e Kryeministrit. Sipas burimeve nga mbledhja, Rama ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të të gjithë drejtorëve të Bashkisë së Vlorës.
“Që nga ky moment, të gjithë jeni të shkarkuar. Kryetari i Bashkisë duhet të firmosë menjëherë shkarkimet,” – mësohet të ketë deklaruar Rama.
Gjithashtu, ai ka theksuar se të gjithë drejtuesit vendorë duhet të jenë në gatishmëri të plotë për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe për të adresuar me urgjencë çështjet që shqetësojnë qytetin.
Ky reagim i fortë i Kryeministrit vjen në një kohë kur Vlora përballet me një sërë problematikash të pazgjidhura nga strukturat përkatëse, ndërsa pakënaqësitë qytetare për mënyrën e funksionimit të administratës vendore janë shtuar ndjeshëm.
Ende nuk dihet se kush do të jenë zëvendësuesit e drejtorëve aktualë, por në ditët në vijim priten zhvillime dhe emërime të reja në administratën e qytetit.
Pas mbledhjes, Rama është parë duke ecur në këmbë në lagjen “Muradie”, i shoqëruar nga Arbjan Mazniku, Pirro Vengu dhe Sinan Idrizi. Ata janë ndalur për rreth 30 minuta në një lokal për kafe, përpara se Kryeministri të largohej nga qyteti.