“Tentuan të më drogonin, më injektuan…”/ Akuza tronditëse e futbollistit ndaj Fenerbahçes

Futbollisti i njohur francez, Allan Saint-Maximin, ka ngritur një akuzë të rëndë ndaj klubit turk Fenerbahçe, ku ishte i huazuar gjatë sezonit të fundit.

Në një intervistë të fundit, sulmuesi që zotërohet nga klubi Al Ahli në Arabinë Saudite, deklaroi se gjatë qëndrimit të tij në Stamboll ka patur përpjekje për ta drogur në mënyrë të qëllimshme.

“Jam një njeri i ndershëm dhe nuk do të doja t’i vendosja njerëzit në situata të vështira. Por kam arritur në një fazë ku nuk kam më frikë nga asgjë. Ata u përpoqën të më drogonin, duke më injektuar gjëra të pakuptimta,” – deklaroi Saint-Maximin me tone të ashpra.

Ai shtoi se, sipas tij, klubi nuk tregonte interes për gjendjen e tij fizike apo emocionale, por kërkonte thjesht të kishte në fushë një lojtar të gatshëm për ndeshje:

“E vetmja gjë që kishte rëndësi për ta ishte loja. Por ku është ana njerëzore? Kur jam në gjendjen time më të keqe, më qëndro afër.”

Në intervistë, lojtari francez përmendi edhe një bisedë me trajnerin e njohur José Mourinho, i cili tani drejton Fenerbahçen. Ai tha se e ka vlerësuar marrëdhënien me Mourinhon, duke e cilësuar si një trajner të jashtëzakonshëm që i dha mbështetje:

“Fola me Mourinhon si burri me burrë. Ai është një trajner i jashtëzakonshëm dhe më ndihmoi të përparoja, por edhe ai pati shumë pengesa gjatë sezonit.”