Tentuan të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara, arrestohen 3 persona në Korçë

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë

Tentuan të kalojnë kufirin me dokumente të dyshuara të falsifikuara, arrestohen në flagrancë 3 shtetas nga Sri Lanka.

Sekuestrohen dokumentet.

Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, bazuar te informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për goditjen e paligjshmërive, në PKK Qafë Thanë është ushtruar kontroll ndaj 3 shtetasve nga Sri Lanka. Secilit prej tyre ka tentuar të kalojë kufirin me leje për qëndrim në Itali, që dyshohet se është e falsifikuar.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit N. L., 57 vjeç, A. K., 51 vjeç, dhe K. W., 36 vjeç, të tre banues në Sri Lanka, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.

Më tej, në vijim të punës së shërbimeve të DVKM Korçë, u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin M. B., 37 vjeç, banues në fshatin Grabovicë, Pogradec, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, pasi u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare, në fshatin Goricë, duke tentuar të kalonte ilegalisht kufirin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.