Tentoi të vrasë dy policë në Vlorë, arrestohet në Belgjikë 38-vjeçari shqiptar me 3 emra! Pritet ekstradimi i tij
BELGJIKË- Një 38 vjeçar me 3 emra është arrestuar nga policia belge në Bruksel për llogari të autoriteteve shqiptare që e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për atentatin e ndodhur në Vlorë në 2022-in, ku tentoi të vriste 2 policë.
Në pranga ka rënë, Diego Haxhiraj alias Teki Hanaj alias Diego Hanaj i cili në shtator të vitit 2022 qëlloi me armë zjarri ndaj automjetit ku udhëtonin 2 efektivët, Angjelo Breshani, polic i patrullës Vlorë e Nako Mehmetaj polic kufitar në Sarandë.
Në momentin kur u ndalua nga policia belge, 38 vjeçari është prezantuar me identitet tjetër dhe gjatë kontrollit iu gjet edhe një thikë.
Pas arrestimit në Belgjikë pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë, ku gjykata e Vlorës i ka caktuar ‘arrest me burg’ për vrasje të mbetur në tentativë ndaj 2 policëve të cilët ishin jashtë orarit të shërbimit. Dyshohet se në makinë me 38 vjeçarin ka qenë edhe një person tjetër, ende i paidentifikuar.
Kujtojmë se në dëshminë e dhënë në polici 2 efektivët thanë se nuk kishin asnjë dijeni mbi ngjarjen dhe hodhën aludimet se në momentin që kanë parakaluar automjetin ku udhëtonte 38 vjeçari, ky i fundit mund të ketë menduar se po i kryhet atentat.
Diego Haxhiraj ka precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve. Ndaj tij është bërë një atentat, ku ka shpëtuar pa asnjë lëndim.