Tentoi të vidhte një automjet gjatë natës, arrestohet 36-vjeçari në Kavajë

Tentoi të vidhte një automjet, gjatë natës, vihet në pranga 36-vjeçari.

36-vjeçari u kap nga shërbimet e Policisë, duke u larguar me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi. Shpallet në kërkim pronari i këtij automjeti, i dyshuar si bashkëpunëtor i 36-vjeçarit.

Sekuestrohet automjeti.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, pas kallëzimit nga një shtetas, se kishin tentuar të vidhnin në automjetin e tij, në fshatin Luz i Vogël, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Nga hetimet dyshohet se mbrëmjen e djeshme, shtetasi G. G. ka tentuar të vjedhë sende personale nga automjeti i parkuar pranë një karburanti, në fshatin Luz i Vogël.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë e kanë kapur në flagrancë shtetasin G. G., duke drejtuar pa leje drejtimi automjetin në pronësi të shtetasit S. B., i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtor i 36-vjeçarit, për këtë vjedhje.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi G. G., 36 vjeç, banues në Kosovë, dhe u shpall në kërkim shtetasi S. B., 39 vjeç. Punohet për kapjen e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

18ab64d5-d55b-4785-8510-994053f328c9