Tentoi të trafikonte armë zjarri nga Shqipëria në Gjermani, arrestohet shtetasi kanadez në Rinas
Intensifikimi i kontrolleve nga Policia Kufitare godet një rast të tentativës për të trafikuar armë zjarri, tranzit, nga Shqipëria në Gjermani.
Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Arrestohet në flagrancë poseduesi i saj.
Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e inteligjencës policore, të intensifikuara për shkak të fluksit në hyrje/dalje, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë në aeroportin e Rinasit, finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit”, në kuadër të të cilit u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri nga Shqipëria në Gjermani.
Gjatë këtij operacioni u kap në flagrancë në dalje të Shqipërisë dhe u vu në pranga shtetasi shqiptar me nënshtetësi kanadeze A. Q., banues në Kanada.
Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në bagazhet e këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.