Tentoi të korruptonte drejtorin e AKU-së, dënohet me 8 muaj burg Namik Koçi

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur dënimin ndaj biznesmenit Namik Koçi, i cili akuzohej për “korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Koçi, banues në Durrës, ofroi një shumë parash drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për të lehtësuar procedurat e testimit të kampionëve në subjektin tregtar të tij në vitin 2024.

Gjykata shpalli Koçin fajtor, duke e dënuar me 1 vit burg. Megjithatë, për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me 1/3 dhe u vendos në 8 muaj burgim. Gjyqtarët vendosën pezullimin e dënimit dhe lënien e tij në provë për një periudhë 1 vit e 4 muaj.

Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e shumës prej 70.000 lekësh, të cilat konsiderohen si mjet për kryerjen e veprës penale, ndërsa shumat e tjera prej 215.000 lekësh dhe pajisjet elektronike personale do t’i kthehen Koçit dhe dy shtetaseve të tjera të përfshira në hetim.