Tentoi të kalonte në mënyrë të paligjshme një grup emigrantësh drejt Greqisë, arrestohet në Sarandë një i huaj
Një 31-vjeçar me shtetësi etiopiane, i identifikuar si Finan Kibrom dhe banues në Mbretërinë e Bashkuar, është arrestuar në flagrancë nga Policia Kufitare e Sarandës në bashkëpunim me agjentët e FRONTEX, pasi tentoi të kalonte ilegalisht një grup emigrantësh drejt Greqisë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e njohur si Katajeto, pranë piramidës 74, përgjatë kufirit të gjelbër mes Shqipërisë dhe Greqisë. Gjatë një kontrolli të zhvilluar në terren, shërbimet e rendit kapën një grup prej 7 emigrantësh të paligjshëm, të gjithë me origjinë nga Etiopia, të cilët po përpiqeshin të kalonin kufirin, të shoqëruar nga 31-vjeçari Kibrom.
Sipas hetimeve të para, dyshohet se ky është rasti i dytë ku shtetasi Finan Kibrom është përfshirë në aktivitete të paligjshme të trafikimit të emigrantëve. Ai dyshohet se udhëtonte nga Greqia drejt Shqipërisë përmes pikës kufitare të Kakavijës, ku takohej me emigrantët me të cilët kishte komunikuar më parë dhe më pas përpiqej t’i çonte në mënyrë të fshehtë në territorin grek përmes rrugëve të gjelbra malore. Një automjet tip taksi thuhet se i priste emigrantët në anën tjetër të kufirit për t’i transportuar më tej brenda Greqisë.
Finan Kibrom u arrestua për veprën penale “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve shtetërorë”, parashikuar nga neni 298 i Kodit Penal.
Ndërkohë, shtatë shtetasit e huaj të ndaluar do të përballen me procedurat ligjore në fuqi dhe më pas do të riatdhesohen në vendin e tyre të origjinës.