Tentoi të hynte në Shqipëri me identitet të rremë, arrestohet 40-vjeçari i dënuar për vjedhje me dhunë në Itali

Policia e Rinasit ka arrestuar një 40-vjeçar, i cili tentoi të futej në Shqipëri me dokumente të falsifikuara, ndërsa rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Eduart Isaku, 40 vjeç, u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare në hyrje të Shqipërisë, pasi udhëtonte nga Madridi dhe paraqiti dokumente me identitet fals, duke përdorur gjeneralitetet Ermir Isaku.

Gjatë verifikimeve të mëtejshme dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me strukturat e INTERPOL-it, rezultoi se ky shtetas ishte i dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences me 5 vjet burgim, për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë” të kryer në kuadër të një organizate kriminale, vendim i marrë në vitin 2018.

Isaku u arrestua provizorisht dhe aktualisht po bëhen përgatitjet për ekstradimin e tij drejt Italisë, në bashkëpunim mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma.